
Nga 1 janari nëse qeveria nuk do të aplikojë TVSH të reduktuar në 6% edhe për transportin publik, operatorët paralajmërojnë se do të nisin të kërkojnë rritje të çmimit të biletës dhe abonesë.
Nga ndryshimi i çmimeve në shkallë vendi pritet të preken rreth 500 mijë qytetarë në ditë që përdorin transportin publik.
Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas në një letër drejtuar Komisionit për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Infrastrukturës kërkon marrjen parasysh të kërkesës së saj për përfshirjen e transportit publik në skemën e TVSH të reduktuar në masën 6%.Me paketën e re fiskale në këtë skemë do të përfshihen vetëm një listë prej 54 produktesh ushqimore.
Shoqata vlerëson se propozimi i tyre duhet të merret në konsideratë, pasi rritja e TVSH-së së përgjithshme nga 20% në 21%, si masë do të ushtrojë presion si për rritjen e çmimit të biletës dhe të abonesë.
Rritja e propozuar e normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21% duhet të vlerësohet në raport me efektin buxhetor dhe me pasojat e mundshme ekonomike e sociale për përdoruesit e transportit publik dhe operatorët, pasi operatorët nuk mund të bëjnë rritje të njëanshme të çmimit, pasi çmimi përcaktohet nga pushteti vendor.“Operatorët nuk kanë të drejtën dhe as mundësinë të rrisin në mënyrë të njëanshme çmimin e biletës apo të abonimit, edhe në rastet kur përballen me:
Rritje të çmimit të karburantit dhe energjisë.
Rritje të pagave dhe kontributeve për personelin.
Rritje të kostove të mirëmbajtjes, pjesëve të këmbimit dhe sigurimit të mjeteve.
Kosto për rinovimin dhe modernizimin e flotës.
Detyrime për realizimin e kilometrave, frekuencave dhe orareve të miratuara të shërbimit.
Në këtë situatë krijohet një pabarazi ekonomike ndërmjet detyrimeve që operatorët duhet të përmbushin dhe mundësive që kanë për sigurimin e të ardhurave. Rritja e kostove nuk mund të reflektohet automatikisht në çmimin e biletës, ndërsa të ardhurat e operatorëve mbeten të kufizuara nga tarifat e miratuara. Për rrjedhojë, çdo barrë shtesë fiskale, pa një mekanizëm përkatës lehtësimi ose kompensimi, rrezikon të thellojë rezultatin negativ financiar, të reduktojë kapacitetin investues dhe të cenojë vazhdimësinë e shërbimit. Shoqata vlerëson se nuk është ekonomikisht e qëndrueshme që shteti, nga njëra anë, të administrojë çmimin e shërbimit dhe, nga ana tjetër, të rrisë detyrimet fiskale pa parashikuar një mekanizëm që garanton mbulimin e kostove reale të ofrimit të tij.
Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas argumenton ndërkohë se në disa vende të Bashkimit Europian aplikohet TVSH e reduktuar për këtë sektor, përfshirë shtete të Ballkanit Perëndimor dhe të Bashkimit Europian.
Letra e plotë e Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas
Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas, në përfaqësim të interesave të operatorëve të licencuar të transportit publik të udhëtarëve, në kuadër të procedurave parlamentare për shqyrtimin dhe miratimin e Projektbuxhetit të Shtetit dhe Paketës Fiskale për vitin 2027, paraqet për shqyrtim një sërë kërkesash dhe propozimesh që lidhen drejtpërdrejt me qëndrueshmërinë ekonomike të sektorit, barrën fiskale të ushtrimit të veprimtarisë dhe garantimin e një shërbimi publik të përballueshëm për qytetarët.
Vlerësojmë se politikat fiskale për vitin 2027 duhet të marrin në konsideratë natyrën e veçantë të transportit publik, i cili, ndryshe nga aktivitetet e zakonshme tregtare, funksionon mbi tarifa të rregulluara, detyrime të përcaktuara për shërbimin dhe kufizime ligjore e administrative në përshtatjen e çmimeve me kostot reale.
Transporti publik nuk përfaqëson thjesht një aktivitet ekonomik, por është një shërbim me interes të përgjithshëm publik, i lidhur drejtpërdrejt me lëvizjen e qytetarëve, aksesin në punësim, arsim, shëndetësi dhe pjesëmarrjen në jetën ekonomike e sociale. Ai përbën një nga arteriet kryesore të jetës së qytetit.
Për këtë arsye, Shoqata kërkon që transporti publik të trajtohet, nga pikëpamja fiskale, në mënyrë të përafërt me produktet dhe shërbimet bazë të shportës familjare dhe parashtron kërkesat e mëposhtme:
Mosmiratimi i rritjes së propozuar të TVSH-së në 21% dhe ulja e normës së TVSH-së për transportin publik në 6%.
Sipas Paketës Fiskale 2027 të prezantuar nga Qeveria, propozohet rritja e normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21%. Në mungesë të një norme të reduktuar për transportin publik, kjo masë mund të ushtrojë presion mbi çmimin e biletës ditore dhe të abonimit mujor, duke prekur qytetarët, studentët, pensionistët dhe shtresat në nevojë.
Duke marrë parasysh rritjen e kostove të karburantit dhe të shpenzimeve të jetesës, Shoqata vlerëson se çdo rritje shtesë e barrës fiskale mbi transportin publik duhet të analizohet në raport me ndikimin te qytetarët dhe aftësinë financiare të operatorëve.
Shoqata e vlerëson pozitivisht parimin e mbrojtjes së konsumit bazë familjar, por konsideron se ky trajtim duhet të shtrihet edhe te shërbimi i transportit publik të udhëtarëve. Transporti publik është një shpenzim i domosdoshëm dhe periodik në buxhetin e familjeve.
Për shumë qytetarë, përdorimi i autobusit nuk përbën zgjedhje konsumi, por mënyrën e vetme ekonomikisht të përballueshme për të shkuar në punë, në shkollë, në institucione shëndetësore apo për të përmbushur nevojat e përditshme. Sipas vlerësimit paraprak të Shoqatës, shërbimi i transportit publik përfshin një popullsi të konsiderueshme përdoruesish, të vlerësuar në rreth 450,000–500,000 qytetarë në shkallë vendi.
Një pjesë e konsiderueshme e këtyre përdoruesve u përket familjeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme, studentëve, pensionistëve dhe personave për të cilët zotërimi apo përdorimi i një automjeti privat është ekonomikisht i papërballueshëm. Për këto arsye, transporti publik duhet të konsiderohet pjesë funksionale e shportës bazë të konsumit familjar dhe të përfitojë trajtim fiskal të reduktuar.
Në kuadër të procesit të integrimit evropian, Shoqata propozon marrjen në konsideratë të praktikave fiskale të vendeve evropiane që aplikojnë norma të reduktuara për transportin e udhëtarëve, si Portugalia, Gjermania, Austria, Italia dhe Spanja. Normat ndryshojnë sipas shtetit dhe llojit të shërbimit; nuk ekziston një normë e vetme prej 6% për të gjitha vendet e Bashkimit Evropian.















