Kjo makinë është unike në llojin e saj. Ajo është bashkimi i dy automjeteve në një të vetëm, krijuar nga Ermal Isufi.
Pasioni për makinat e shtyu Ermalin të niste punën për krijimin e saj.
“Ishte 4×4 dhe ne e shndërruam në 6×6. E kam studiuar për një vit dhe m’u deshën 4 muaj për ta ndërtuar… Pashë një video të një kompanie që prodhon të tilla në Amerikë dhe krijova një të ngjashme… I studiova pak detajet dhe ia dola ta realizoj”, thotë inxhinieri Ermal Isufi.
Periudha e karantinës i dha mundësinë të krijonte këtë “përbindësh të kuq”.
“Është në rregull me dokumentacionin; udhëtoj edhe jashtë Shqipërisë me të. Është më tepër një makinë për qejf, sesa një automjet për udhëtime të gjata. Gjithçka e kam bërë vetë”, shprehet ai.
Një makinë e tillë nuk mund të mos tërheqë vëmendjen, madje edhe të efektivëve të policisë.
“Nuk dinin çfarë dokumentesh të kërkonin. ‘A ka letra?’ – më pyetën. ‘Po, ka’, u thashë. U shpjegova se e kisha modifikuar vetë. ‘Nuk ka mundësi, duhet ta kesh sjellë nga jashtë shtetit’, më thanë”, tregon Ermali.
Ky krijim i tij ka tërhequr vëmendjen e kompanive të huaja. Nuk kanë munguar ofertat, por Ermali ka një përgjigje të prerë.
“Kjo makinë ka një vlerë prej 150-170 mijë eurosh. Erdhën katër zviceranë dhe më bënë një ofertë, por nuk u interesova; unë dua të krijoj bashkëpunime. Dua t’i ndërtoj të gjitha këtu. Nëse ikën njëri, ikën tjetri… kush do të mbetet?” – thotë i riu.
Krijimet e tij nuk do të ndalen me kaq. Ai ka nisur punën për të ndërtuar një tjetër makinë, të ngjashme me atë që është përdorur në një nga filmat më të famshëm të Hollivudit. Deri atëherë, ai do të shijojë “të voglën” e tij.















