AKTUALITETLAJMERAJON

Shpërthimi në Lushnjë me 2 të vdekur e 7 të plagosur, dyshohet se bombola me oksigjen ra nga vinçi! Hetohet leja e magazinës nën tensionin e lartë dhe shkelja e sigurisë në punë

Vijojnë hetimet për zbardhjen e shkaqeve të shpërthimit që shkaktoi 2 të vdekur e 7 të plagosur në magazinën në ndërtim që thuhet se është e deputetit Bujar Çela në Lushnje. Ende s’ka një version zyrtar, por Report Tv mëson se po hetohet shkelja e rregullave në punë, dhe shpërdorimi i detyrës për dhënien e lejes së ndërtimit për magazinë me strukturë metalike, poshtë telave elektrikë të tensionit të lartë. Mes të plagosurve dhe vëllai i nënkryetarit të bashkisë Lushnje. 

Lushnje–  Shpërthimi i fuqishëm në zonën industriale në Lushnje të premten pasdite, (ora 15:30, 1 mars 2024)  i cili la pas 2 viktima dhe 7 të plagosur, mes tyre edhe deputetin socialist, Bujar Çela, është i paqartë dhe ende pa një qëndrim zyrtar, se nga u shkaktua.

E vetmja qartësi është se gjithçka nisi nga vinçi në magazinën në ndërtim e sipër, në të cilin edhe një ditë pas tragjedisë, duket të ketë mbetur varur një bombol oksigjeni. Në të, punonin  babë e bir, Roland dhe Elidian Hoxha 51 dhe 23 vjeç. Vinçi ishte i tyre po transportonte 2 bombola, njëra me oksigjen dhe tjetra me gaz argon, të cilat kombinohen për prerje dhe saldime në konstrukte metalike.

Hetimet
Fillimisht, dje në një njoftim paraprak nga policia e Lushnjës u raportua se shpërthimi ndodhi pasi vinçi preku një tel elektrik të tensionit të lartë, që ndodhet shumë pranë në lartësi me objektet e ndërtuara brenda zonës me magazina dhe biznese shumice.

Por hetuesit e rikthyer në vendngjarje këtë të shtunë, (2 mars) dyshojnë së shpërthimi të jetë shkaktuar nga një incident me bombolat. Mendohet se njëra prej tyre të ketë rënë duke shpërthyer e si pasojë të jetë këputur edhe teli elektrik. Gjithsesi, pista po hetohet dhe vetëm në vijim do të dilet në përfundime konkrete nga ana e ekspertëve.

Babë e bir merrnin hekura për skrap
Burime nga Policia thonë se për babë e bir me origjinë nga fshati Stan i Karbunarës, ishte dita e parë në këtë magazinë, ku siç thuhet jo zyrtarisht për Report Tv, nuk ishin të kontraktuar për procesin e ndërtimit, por për të marrë hekura për skrap.

Magazina po ndërtohej, leja u mor nga deputeti Çela 
Ekspertët zjarrfikës, forcat xhenio, hetues të policisë dhe prokurori kërkuan nga afër provat për të zgjidhur gjithçka ndodhi në shpërthimin që tronditi Lushnjën. Magazina ku ndodhi shpërthimi po bëhej nga e para. Burime jo zyrtare pranë grupit hetimor thonë se lejen për ndërtimin e saj e kishte marrë deputeti socialist i  Lushnjës Bujar Çela, i cili ndodhej aty në momentin e shpërthimit.

Mes të plagosurve vëllai i nënkryetarit të bashkisë
Shpërthimi ishte mjaft i fuqishëm siç duket edhe në videon ekskluzive që Report Tv siguroi ditën e ngjarjes. Personat e lënduar mendohet se përfaqësojnë bizneset brenda zonës industriale, siç është Saimir Korreshi një qytetar nga Lushnja, vëllai i nënkryetarit të Bashkisë Elton Korreshi, i cili ndodhej në biznesin e tij të pijeve me shumicë. Por një pjesë mund të jenë edhe punëtor të magazinës në ndërtim. Reagimi zyrtar për të sqaruar pozitat e tyre, ende nuk është bërë nga policia.

Grupi hetimor ka dyshime se në mesin e kësaj tragjedie ka 2 vepra penale. Shkelje të rregullave të sigurisë në punë që lidhet me bombolat që përdoreshin për saldim që mund të jenë jashtë çdo kriteri teknik, dhe shpërdorim të detyrës, që mund të lidhet me dhënien e lejes për ndërtimin e magazinës metalike poshtë linjës së tensionit të lartë.

Një prej personave që mbeti i plagosur nga shpërthimi në magazinën në Lushnjë ka lënë spitalin.

Lundei Golemi punonte në një magazinë tjetër rreth 20 metra, kur e ka kapur vala e shpërthimit dhe e ka hedhur rreth 5 metra larg.

Mësohet se ai kishte marrë dëmtime në kokë, por gjendja e tij shëndetësore paraqitet stabël.

‘Ishte si tërmet! Gjithçka e shkatërruar në 5 sekonda’ Një bebe dy javëshe në banesën pranë kapanonit që shpërtheu! Kryefamiljari qan\

https://www.youtube.com/watch?v=nmRTFhvZ-3Q

Lushnje- Shpërthimi i fuqishëm në Lushnje ka shkaktuar dëme të mëdha në banesat përreth. Report Tv ka qenë në banesën e një familjeje e cila është shkatërruar nga shpërthimi I ndodhur në magazinat tek Rrethrrotullimi i Plasmasit në Lushnje në orën 15:30 minuta të 1 marsit 2024.

Gjithçka është shkatërruar, dyer dritare. Cdo gjë brenda në banesë, ndërsa dyshemeja është e mbuluar nga ciflat metalike.

“Gjithçka u shkatërrua në 5 sekonda’ thotë kryefamiljarja. Ndërsa burri, kryefamiljari ishte në Greqi kur mësoi ngjarjen. Nuk I mban dot lotët. Jo vetëm për faktin se sheh mundin e një jetë të dëmtuar totalisht por se dhe mund të kishte humbur njerëzit e tij.

“Ishte nusja, djali! Xhama kudo, hedhur hekura këndej e andej! Mirë që s’kanë qenë njerëz jashtë! Me këtë gjëndje që është shtëpia mund të kisha dhe njerëz të vrarë. Më ka ruajtur zoti. Nusja e djalit ka 10 ditë që lindi. Mirë që zoti shpëtoi familjen”

Një qytetar thotë se është hapur ‘një gropë e madhe dhe ka lëvizur dhe struktura” 

“Shpërthimi ishte shumë I fuqishëm. Edhe tërmeti. Edhe ne 3 km në vijë ajrore dhe dukej si tërmet’ thotë I moshuari.

‘Rolandi ishte punëtor, kishte vinçin e tij, Elidioni e ndihmonte!’ Babë e bir përcillen në banesën e fundit vdiqën nga shpërthimi në Lushnje

Lushnje- Mes dhimbjes, familjarët përcollën në banesën e fundit, Roland dhe Elidion Hoxhën, babë e bir që humbën në punë. Elidioni, 23-vjeç ishte kthyer nga emigrimi dhe po ndihmonte të atin kur ndodhi shperthimi fatal.

 Me pikëllim, fqinjët e familjes Hoxha, në fshatin Stan-Karbunare të Lushnjes, tregojnë se 51-vjeçari Roland Hoxha kishte makinen me vinç dhe punonte prej disa vitesh si manovrator, ndërsa njihej si njeri human.

“Na erdhi keq shumë, Rolandi kishte vinçin e tij, punonte prej vitesh. E njohim për njeri punëtor dhe burrë të mirë. I biri, Elidioni e ndihmonte”.

Për ngushëllime në familjen Hoxha shkoi ministri i Brendshëm, Taulant Balla shoqëruar nga kryetarja e bashkisësë Lushnjes, Eriselda Sefa. 

Incidenti i djeshëm, gjatë punës për ndërtimin e një magazine, i mori jeten babë e bir dhe la të plagosur 7 të tjerë, mes tyre deputeti socialist Bujar Çela, jashtë rrezikut për jetën. Në spitalin e Traumës po merr mjekim dhe 41-vjeçar Sokol Lumi. Të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën. Nga Lushnja drejt Tiranës u transportua sot i plagosuri i tretë Saimir Koreshi me dëmtime në gjymtyrë. Ndërsa në spitalin e  Lushnjes aktualisht po trajtohen Ervis Sharka dhe Ilia Sota, në gjendje të stabilizuar. Të plagosurit Eriget Gorovelli dhe Lunedi Golemi dolen sot nga spitali.

Bilanci
Dy të vdekur  

1-Roland Hoxha, 51 vjeç
2-Elidion Hoxha, 23 vjeç
TË PLAGOSUR
1-Sajmir Korreshi biznesmen – Në spitalin e Traumës
2-Sokol Lumi punëtor – Në spitalin e Traumës
3-Bujar Çela, deputet  – Në spitalin e Traumës
4-Ervis Sharka, punëtor-  Në spitalin e Lushnjes
5- Ilia Sota, punëtor – Në spitalin e Lushnjes
6- Eriget Gorovelli – La spitalin e Lushnjes
7- Lunedi Golemi – La spitalin e Lushnjes
Kategoritë: AKTUALITET, LAJME, RAJON

LEXONI GJITHASHTU

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Plotësoni këtë fushë
Plotësoni këtë fushë
Ju lutem, jepni një adresë email të vlefshme.
Ju duhet të pajtoheni me kushtet për të vazhduar