
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë një tjetër deklaratë të fortë nga foltorja e Kuvendit, duke pretenduar se ekzistojnë video komprometuese të Ergys Agasit me përfaqësues të mazhorancës.
Gjatë fjalës së tij, Berisha iu referua edhe videove private të kompozitorit Adrian Hila, të cilat kanë qenë në qendër të vëmendjes gjatë ditëve të fundit, duke deklaruar se materialet që pretendon se disponohen për Agasin janë shumë më të rënda.
“Ato videot e Adi Hilës, ato janë lule krahasuar me çfarë janë videot e Gys Agasit me ju. Po, po, videot e Gys Agasit me ju janë turpi i turpeve të njerëzimit. Dhe do dalin, po, po…”, deklaroi Berisha nga foltorja e Kuvendit.
Në vijim, kreu i opozitës iu drejtua drejtpërdrejt përfaqësuesve të mazhorancës, duke lënë të kuptohet se disa prej tyre shfaqen në materialet që ai përmendi.
“Mos qeshni, se jeni aty (në video). Arkiva juaj e krimit nuk ka fund, ndaj dhe ju doni të shkelmoni Kushtetutën”, u shpreh ai.
Deklarata vjen në një moment kur emri i Ergys Agasit është përfshirë në një sërë raportimesh dhe akuzash publike, përmendur këtu edhe regjistrime të pretenduara audio dhe video nga zyra e tij.
Megjithatë, Berisha nuk përmendi emra konkretë ministrash dhe as nuk paraqiti materiale që të provonin ekzistencën apo përmbajtjen e videove për të cilat foli. Ai nuk sqaroi gjithashtu se kur dhe në çfarë rrethanash mund të publikohen ato.














